
Zyrtarja e LDK-së kërkon që emri dhe fotografia e babait të saj të hiqen nga postimet propagandistike.
Doruntinë Maloku, zyrtare e Lidhjës Demokratike të Kosovës dhe vajza e gazetarit të vrarë Enver Maloku, ka reaguar ndaj përdorimit të emrit të babait të saj në postime që, sipas saj, synojnë të ndërtojnë narrativa politike.
Reagimi i saj vjen pasi në rrjete sociale është shpërndarë një postim ku pretendohet se Enver Maloku, i vrarë në vitin 1999, quaan interpretimin e nenit 86 për shpërndarje të Kuvendit si “analfabetizëm kushtetues”.
Doruntinë Maloku e ka cilësuar këtë veprim si manipulim dhe përdorim të papranueshëm të emrit të një personi që nuk jeton më.
“Manipulimi me emrin e të vdekurve për të ndërtuar narrativa politike është forma më e rëndë e propagandës dhe shkelje e çdo norme elementare njerëzore. Të përdorësh dikë që nuk jeton më, për të mbështetur qëndrime politike është jo vetëm moralisht e dënueshme, por edhe një fyerje e drejtpërdrejtë për figurën e tij.
U bëj thirrje të gjithëve që të ndalojnë menjëherë këtë manipulim dhe ta heqin emrin dhe fotografinë e babait tim, Enver Maloku, nga çdo postim propagandistik.
Enver Maloku nuk është një emër për postime apo grafika propagandistike. Ai është Hero i Kosovës dhe kujtimi i tij meriton dinjitet dhe respekt”, ka deklaruar ajo.




