
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada në Slloveni apelojnë tek shtetasit kosovarë të lajmërojnë Policinë për kthimin e targave të humbura.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar lidhur me rastet e vjedhjes së targave të veturave të shtetasve kosovarë në Lubjanë, gjatë së shtunës, kur u zhvillua ndeshja Kosovë-Slloveni.
Në një njoftim zyrtar, MPJ bën të ditur se Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni ka marrë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes thirrje nga qytetarë të cilët kanë konstatuar mungesën e targave të automjeteve të tyre. “Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa vetura u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit e prekur dhe u ka rekomanduar që të mos lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar,” thuhet në komunikatë.
Ambasada e Kosovës në Slloveni po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e prekur për çdo zhvillim të ri. Të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë mbetur pa targa u janë ofruar këshilla dhe asistencë për kthimin e tyre. Fillimisht u është kërkuar që rastet të raportohen tek Policia e Sllovenisë.
Raportohet se shumica e targave janë marrë nga veturat e parkuara rreth stadiumit “Stozhice”, ku ndodhi ndeshja. Media lokale dhe qytetarët kanë dokumentuar disa nga rastet, ndërsa MPJ dhe Ambasada po ndjekin ngjarjen në kohë reale.
Ndeshja, në të cilën Kosova mundi Slloveninë dhe siguroi sigurimin e plejofit për kualifikim në Botëror, ka bërë bujë në rajon dhe u pasqyrua gjerësisht edhe nga mediat serbe, të cilat tentuan të minimizonin përfaqësuesen kosovare.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Sllovenisë për sqarime shtesë mbi rastin, dhe artikulli do të përditësohet sapo të ketë përgjigje.



