
Ministri në detyrë paralajmëron se mjetet nga BE-ja dhe Banka Botërore humben pakthyeshëm nëse deputetët nuk sigurojnë 80 vota.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë mbi 200 milionë euro nëse Kuvendi i Kosovës sot nuk arrin të ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo shumë përfshin fonde të BE-së dhe kredi të favorshme nga Banka Botërore, të cilat nuk do të jenë më të qasshme në rast të mosmiratimit.
Murati ka bërë të ditur se 88 milionë euro janë pjesë e planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa mbi 120 milionë euro lidhen me tri marrëveshje të tjera financiare të nënshkruara me Bankën Botërore.
Ai shtoi se për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve nevojiten 80 vota në Kuvend, duke apeluar që deputetët të marrin vendimin e duhur për të mos humbur fonde të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Seanca pritet të jetë një nga më vendimtarët për financat publike, ndërsa vëmendja është e përqendruar te gatishmëria politike për të siguruar votat e nevojshme.



