Nazarko: Opozita duhet të propozojë Vjosa Osmanin për presidente

Analisti thotë se një mandat i dytë i Osmanit do të krijonte ekuilibër pushtetesh, ndërsa zgjedhja e Konjufcës do t’ia jepte të gjitha pushtetet Vetëvendosjes.

Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për Klan News, ka folur për çështjen më të nxehtë politike në Kosovë, zgjedhjen e presidentit të vendit.

banner

Nazarko deklaroi se opozita duhet të propozojë Vjosa Osmani për një mandat të dytë në krye të shtetit. Sipas tij, Osmani gëzon mbështetje si nga Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe parti të tjera në vend. Ai vuri në dukje edhe afërsinë e saj me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar se kjo mund të ndihmojë në raportet me SHBA-në.

“Mendoj se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk kanë raporte kaq të mira dhe kjo është parë në disa evente. Kurti është shahist, unë e quaj shah këtë që po luan. Ai po luan shah politik dhe po e dërgon opozitën në buzë të greminës. Në kulmin e pushtetit të tij, Albin Kurti do donte ta kontrollonte edhe Presidencën e Kosovës. Presidenca Osmani nuk ka qenë 100 për qind pro Kurtit. Osmani e mandatit të dytë do ishte një presidente ku opozita do kishte një derë të hapur në Presidencë dhe do të kishim ekuilibër në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Nazarko.

Ai shtoi se Kosova ka nevojë për ekuilibër pushtetesh dhe se Osmani, sipas tij, ka performuar mirë në Presidencë dhe mund të performojë edhe më mirë në një mandat të dytë.

Duke komentuar raportimet se Vetëvendosje mund të propozojë Glauk Konjufcan për president, Nazarko u shpreh se një zgjedhje e tillë nuk do të ishte e duhura për opozitën.

“Nëse Konjufca zgjidhet president, atëherë Vetëvendosje do të kapte shtetin, pasi ka edhe qeverinë. Nuk mendoj se opozita do ta votojë Konjufcën, sepse kjo do të ishte vetëvrasje politike, pasi VV praktikisht do të kishte të gjitha pushtetet në dorë”, u shpreh ai.

Gjatë ditës së sotme, më 3 mars, kryeministri Albin Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar për të diskutuar çështjen e presidentit, por palët nuk kanë arritur ende një konsensus.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.