
Komuna dhe qeveria fajësojnë njëra-tjetrën, ndërsa qytetarët përballen me mungesë të plotë të linjave të transportit.
Në Prishtinë, prej sot ka nisur ndërprerja e plotë e transportit publik dhe atij privat, duke prekur mijëra qytetarë që përdorin çdo ditë autobusin si mjet kryesor të qarkullimit. Ndërprerja ka ardhur si pasojë e problemeve financiare dhe mungesës së buxhetit në Komunën e Prishtinës. Institucionet lokale dhe qendrore po akuzojnë njëra-tjetrën, ndërsa pasojat po i bartin qytetarët.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se situata është alarmante për qytetarët.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.
Mbrëmë është raportuar edhe për përplasje politike lidhur me këtë çështje ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, me të dyja palët që ia atribuojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
Ndërmarrja “Trafiku Urban” ka njoftuar se punëtorët janë pa paga prej muajsh dhe se mungesa e karburantit ka bërë të pamundur vazhdimin e shërbimit.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes. Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Edhe linjat private të transportit kanë ndërprerë punën, për shkak se nuk janë kompensuar për muaj me radhë nga Komuna e Prishtinës. Shoqata e Transportit “Uni Trans” ka konfirmuar protestën dhe pezullimin e shërbimeve. “Arsyeja e protestës lidhet me vonesat e pagesave nga Komuna e Prishtinës. Që gjashtë muaj, nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga komuna për shërbimet që kemi ofruar”, kanë deklaruar nga shoqata.
Si pasojë e ndërprerjes së transportit publik dhe atij privat, në Prishtinë prej mëngjesit është raportuar rritje e dukshme e transportit ilegal.



