
Famullitari i Kishës së Shna Ndout në Gllogjan u bë simbol i humanizmit dhe bashkëjetesës fetare, duke strehuar myslimanë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Ka ndërruar jetë prifti katolik Dom Kelmend Spaqi, famullitar për shumë vite në Kishën e Shna Ndout në Gllogjan. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë në rrjetet sociale.
Prifti Gabriel Grabanica e kujtoi atë me fjalë prekëse, duke theksuar simbolikën e ditës së ndarjes së tij nga jeta. “E Enjtja e Shenjtë, dita e Meshtarisë, që duhej të ishte ditë gëzimi e bekimi, u kthye në dhimbje për të gjithë ne që të njohëm dhe të deshëm. Pusho në paqe, Dom Kelmend Spaqi”, shkroi ai.
Dom Kelmend Spaqi, me prejardhje nga Spaçi i Mirditës në Shqipëri, njihej gjerësisht për guximin dhe humanizmin e treguar gjatë Lufta e Kosovës. Në atë periudhë dramatike, ai strehoi qindra shqiptarë myslimanë brenda kishës së tij në Gllogjan, duke refuzuar t’i dorëzonte ata te forcat paramilitare serbe.
Në një nga momentet më të rrezikshme të luftës, më 4 prill 1999, kur 12 burra shqiptarë u morën për t’u pushkatuar, ai u përball me ushtarët dhe arriti t’i kthente ata në kishë, duke rrezikuar jetën e tij. Në rrëfimet e tij ai tregonte se kishte deklaruar se nuk do të lejonte ndarjen e njerëzve sipas fesë.
Rasti i tij u raportua edhe nga media ndërkombëtare si Sky News, e cila e përshkroi si një akt të jashtëzakonshëm guximi, pasi prifti refuzoi të lejonte hyrjen e paramilitarëve në kishë dhe mbrojti civilët e strehuar aty.
Dom Kelmend Spaqi do të kujtohet si një figurë e rrallë që në kohë lufte u bë simbol i solidaritetit, humanizmit dhe bashkëjetesës ndërfetare mes shqiptarëve.



