
Nga 1 tetori deri në fillim të nëntorit, dokumentet identifikuese të qytetarëve do të përpunohen përmes procedurave të përshpejtuara në pikat kufitare të Vërmicës dhe Morinës
Nga data 1 tetor deri në fillim të nëntorit, marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare Vërmica dhe Morina do të pezullohet.
Gjatë kësaj periudhe, pikat kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë do të përpunojnë të dhënat e udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve përmes një procedure të përshpejtuar, me qëllim të shmangies së radhëve dhe pritjeve të gjata për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve.
Megjithatë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, qytetarët me automjete të Kosovës dhe Shqipërisë do të vazhdojnë të kalojnë kufirin pa kontrolle, raporton A2 CNN.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë, e cila ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin dhe të shmangë trafikun e rënduar, ka dhënë rezultate të dukshme gjatë sezonit veror, nga 1 maj deri më 30 shtator. Në total, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës përfitojnë nëntë muaj lëvizje të lehtësuar në vit, ndërsa tre muaj kufizohen me kontrolle të përshpejtuara.



