Nicolas Maduro del para gjykatës federale në New York 

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës u kap nga ushtria amerikane në Karakas dhe u transferua në SHBA nën masa të rrepta sigurie.

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të paraqitet të hënën në gjykatën federale të Manhattanit në New York, për t’u përballur me akuza për narko-terrorizëm, vetëm disa ditë pas kapjes së tij nga forcat amerikane. Arrestimi i Maduros ka shkaktuar pasiguri të thellë rreth të ardhmes së Venezuelës, një vend i pasur me naftë në Amerikën e Jugut.

banner

Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë burgosur në Brooklyn pasi u kapën në Karakas gjatë një bastisjeje të papritur gjatë fundjavës. Ata janë transferuar drejt gjykatës nën përcjelljen e një numri të madh të forcave amerikane të Agjencisë Kundër Drogës (DEA).

Të dy pritet të dalin para gjykatësit të distriktit amerikan Alvin K. Hellerstein në një seancë dëgjimore të planifikuar për në orën 12:00 sipas kohës lokale të New Yorkut. Ende nuk dihet nëse Maduro dhe Flores kanë siguruar përfaqësim ligjor apo nëse do të deklarohen fajtorë ose të pafajshëm.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar Maduron një udhëheqës të paligjshëm që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, të cilat u akuzuan gjerësisht për parregullsi masive. Kapja e tij përbën ndërhyrjen më të diskutueshme të Uashingtonit në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë, 37 vjet më parë.

Sipas prokurorëve amerikanë, Maduro është figura qendrore e një karteli të përbërë nga zyrtarë politikë dhe ushtarakë venezuelianë, të cilët për dekada kanë bashkëpunuar me rrjete të trafikut të drogës dhe organizata të shpallura terroriste nga SHBA-ja, me qëllim furnizimin e tregut amerikan me sasi të mëdha narkotikësh.

Maduro ishte paditur fillimisht në vitin 2020, në kuadër të një çështjeje të gjerë për trafikim narkotikësh që përfshin zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë venezuelianë, si dhe guerilë kolumbianë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.