
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë opozitare kërkojnë më shumë kohë për analizë dhe prani të kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër procedurën e ndjekur për Projektbuxhetin e vitit 2026, i cili sot ishte parashikuar të hidhej në votim për lexim të parë në Kuvendi i Kosovës.
Abdixhiku tha se nuk është serioze që deputetëve t’u jepen vetëm tri orë për të rishikuar një dokument kaq të rëndësishëm si buxheti i shtetit. Ai shtoi se buxheti nuk e reflekton as qeverinë aktuale, pasi katër ministri nuk janë fare të përfshira.
“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme të Kurtit që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”, deklaroi Abdixhiku.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që ta trajtojë me seriozitet dokumentin financiar më të rëndësishëm të vendit, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim dhe prani të kryeministrit Albin Kurti.
“Bëhuni më seriozë. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin që sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Katër ministri është dashur të dalin këtu se ky buxhet nuk është në rregull”, tha ai.
Kundër këtij buxheti u shprehën edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi tri ditë kohë për shqyrtim, ndërsa shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se buxheti i vitit 2026 është praktikisht i njëjtë me atë të vitit 2025.
“Duhet me qenë Supermen për me lexu këtë buxhet. Ky nuk është buxhet i vitit 2026, por i vitit 2025. Vijat buxhetore janë të njëjta, veç në tekst ka pak ndryshime”, tha Tahiri.



