
Domagoj Margetiç thotë se hetimi i tij përmban dëshmi nga ish-pjesëtarë paraushtarakë serbë që e lidhin presidentin serb me një grup snajperistësh pranë Sarajevës.
Gazetari investigativ kroat, Domagoj Margetiç, ka bërë publike detaje nga një hetim që, sipas tij, e lidh presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me një grup snajperistësh paraushtarakë gjatë viteve të luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Margetiç ka deklaruar se informacionet e mbledhura vijnë kryesisht nga ish-pjesëtarë të njësive paraushtarake serbe dhe se ato përfshijnë dëshmi që e vendosin Vuçiçin pranë Sarajevës, ku ky grup dyshohet se ka vepruar.
“Në afërsi të Sarajevës, udhëhiqeshin nga njerëz të një njësie paraushtarake, të cilët kishin leje kalimi nga institucionet serbe. Dhe ajo që dimë tani, dhe çfarë zbulova, është se Vuçiç ishte një nga ata që shoqëronte të ashtuquajturit ‘klientë’, dhe mbante një badge të shërbimeve sekrete serbe,” ka thënë Margetiç.
Ai përmendi Mirko Blagojevićin si kreun e njësisë paraushtarake, i cili, sipas tij, ka konfirmuar se Vuçiç shoqëronte personat që lëviznin në zonat e kontrolluara nga ky grup. Sipas gazetarit, “safari snajperistësh” drejtohej nga Sllavko Aleksiç, dhe Vuçiçi dyshohet se ishte pjesë e njësisë.
Margetiç tha se pjesa dërrmuese e informacionit vjen drejtpërdrejt nga ushtarë dhe ish-ushtarë paraushtarakë, të cilët kanë dëshmuar për praninë e Vuçiçit në këto operacione. Ai shtoi se qëllimisht nuk ka akuzuar popullin serb në artikullin e tij, por vetëm individët që sipas tij kanë qenë të përfshirë në këto aktivitete.
Deklaratat e tij pritet të ngjallin reagime, pasi lidhen me një figurë aktuale politike dhe me ngjarje të ndjeshme të luftës në Bosnje.



