
Presidentja thotë se kishte mbështetje edhe nga deputetë të opozitës dhe komuniteteve joshumicë, ndërsa LDK nuk kishte qëndrim refuzues ndaj kandidaturës së saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ishte e bindur se do të siguronte votat e nevojshme për t’u zgjedhur presidente nëse do të ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti si kandidate për këtë post.
Sipas Osmanit, në atë periudhë ajo kishte zhvilluar kontakte dhe diskutime me deputetë të opozitës dhe me përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, duke vlerësuar se votat për zgjedhjen e saj do të siguroheshin, përfshirë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Sa më shumë që unë punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtet do të jenë aty – ju e dini, e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK-së që nuk ka pasur qëndrim refuzues në raport me emrin tim. Kur u qartësua që ka shanse që unë të zgjidhem, nga kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim i ri, që ishte se Grupi Parlamentar i LVV-së dhe ai personalisht nuk e përkrahin kandidaturën time”, ka deklaruar Osmani.
Ajo shtoi se nuk është e lidhur me pozitën e presidentes dhe se, sipas saj, zhvillimet e asaj kohe mund të kenë qenë në dëm të interesit të shtetit.
“Sikur unë të propozohem si kandidatja e vetme e LVV-së dhe të kishim një kandidat tjetër formal, jam e bindur që sot do ta kishim presidente dhe Qeverinë Kurti”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për gazetarin Çim Peka.



