Osmani në Mitrovicë: Veriu dhe Mitrovica janë toka shqiptare, trashëgimia ilire e dëshmon këtë

Presidentja thekson rëndësinë strategjike të Mitrovicës dhe kërkon bashkëpunim institucional për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Mitrovica dhe veriu i vendit janë toka shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore ilire në pjesët veriore të Kosovës është dëshmi e qartë e kësaj. Ajo i bëri këto deklarata të martën në Mitrovicë, gjatë një konference për media pas takimit me kryetarin e komunës, Faton Peci.

banner

Osmani tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë politike dhe strategjike që Mitrovica ka për shtetin.

“Jam e bindur se edhe nga aspekti politik, duke e ditur rëndësinë e kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, që ta ruajmë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vetë trashëgimia kulturore ilire, që shihet kudo në pjesët veriore, sado të largëta brenda territorit tonë, është dëshmia më e madhe e kësaj”, tha Osmani.

Presidentja bëri të ditur se gjatë takimit me kryetarin Peci kanë diskutuar për nevojat, shqetësimet dhe perspektivën zhvillimore të qytetit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale nga niveli qendror. Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re komunale do të sjellë më shumë zhvillim për Mitrovicën.

“Jam besimplotë se do ia dilni ju dhe ekipi i juaj i jashtëzakonshëm që për qytetarët e Mitrovicës të sillni më shumë perspektivë, më shumë projekte e më shumë shpresë”, u shpreh Osmani.

Duke theksuar lidhjen e saj personale me qytetin, Osmani tha se e njeh mirë realitetin e Mitrovicës, pasi është rritur aty dhe ka një njohje të gjatë me kryetarin Peci.

“Ne me Fatonin njihemi që një kohë të gjatë, kemi shkuar në shkollë bashkë, jemi rritur në Mitrovicë dhe i njohim problemet me të cilat ballafaqohet ky qytet. Kam besimin e plotë se ato gradualisht do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipit të tij, por edhe me përkrahjen tonë nga niveli qendror”, shtoi ajo.

Presidentja vlerësoi gjithashtu potencialin e jashtëzakonshëm të Mitrovicës, duke përmendur bukuritë natyrore, traditën, historinë dhe potencialin njerëzor të qytetit, veçanërisht për gjeneratat e reja që presin zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Nga ana e tij, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se vizita e presidentes është një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes institucionale ndaj qytetit.

“Ne i uruam mirëseardhje presidentes në shtëpinë e saj. Diskutuam për nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por edhe për nevojën e mbështetjes institucionale, ku kohët e fundit ka pasur përmirësim të dukshëm”, u shpreh Peci.

Ai shtoi se, ndonëse ka pasur progres, ekziston ambicie më e madhe nga niveli komunal për adresimin e çështjeve, duke vlerësuar vëmendjen dhe mbështetjen e presidentes, qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Peci vlerësoi po ashtu përfaqësimin e Mitrovicës në politikën e jashtme, duke theksuar se Kosova “ka pasur presidenten më të mirë që nga pavarësia”.

Në fund, e pyetur nga një medium lokal pse nuk e kishte vizituar ish-kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, Osmani e quajti këtë pretendim “fake news”, duke theksuar se e ka vizituar disa herë gjatë mandatit të tij dhe i ka dhënë përkrahje institucionale brenda kompetencave të saj. Ndërkohë, ajo nuk iu përgjigj pyetjes nëse do t’i rikthehet partisë “Guxo” pas përfundimit të mandatit presidencial.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.