
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është duke qendruar në Uashington të ShBA-së, ku do të jetë pjesëmarrëse e takimit të inaugurimit të Bordit të Paqes.
Ditë më parë, Osmani e vlerësoi si momentin më të rëndësishëm të viteve të fundit.
Në Kanal 10, Osmani vlerësoi se rreshtimi me ShBA-në “asnjëherë nuk i del keq Kosovës”.
“Ne duhet të kemi zë në tryezat ku merren vendime për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, sepse, siç e thonë të gjithë, kur nuk je pjesë e tryezës je pjesë e menysë, kështu që është shumë më mirë që ne ta kemi zërin tonë, prezencën tonë, qëndrimin tonë – jo vetëm për të mbrojtur interesat tona dhe për ta mbrojtur paqen e sigurinë në rajon, por edhe për të kontribuar. Rreshtimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk i del keq Kosovës” – tha Osmani.



