
Presidentja thekson se nuk ka ndërhyrë kurrë në sistemin e drejtësisë dhe se shumë shpejt do të pasojë një deklaratë e plotë institucionale.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot (24.11.2025) lidhur me zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas vendimit për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Ajo para mediave deklaroi se institucionet po e analizojnë të gjithë procesin nga aspekti ligjor, në koordinim të ngushtë me shtetet e QUINT-it.
Osmani u shpreh veçanërisht e shqetësuar për faktin se pesë anëtarë të KPK-së kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë.
“Një çështje e cila është shumë shqetësuese është që pesë anëtarë të KPK nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë në vend. Si presidente jam marrë me këtë çështje me qeverinë, sepse është e pafalshme që 26 vjet pas luftës ne të kemi anëtarë të KPK që ndihen të kërcënuar”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se deklarimet e saj nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se ajo ka respektuar gjithmonë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
“Sistemi i drejtësisë është ballafaquar me sfida sa i përket profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë. Është me rëndësi që deklaratat e mia të mos shihen si ndërhyrje. Asnjëherë nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Jemi në proces të analizës së përbashkët me partnerët tanë dhe shumë shpejt do të kemi deklaratë të plotë”, u shpreh Osmani.
Këto reagime vinë pas vendimit të anëtarëve të KPK-së më 20.11.2025 për shkarkimin e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, me 5 vota për. Në vend të tij, Këshilli caktoi si ushtrues detyre prokurorin Agron Çalaj.
Megjithatë, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, në një konferencë për media deklaroi se vendimi është i paligjshëm dhe i pavlefshëm, duke pretenduar se Këshilli ka vepruar pa kuorum.
Presidentja Osmani kishte paralajmëruar se do të deklarohej më gjerësisht pasi të njoftohej me detajet e rastit, ndërsa tani ka konfirmuar se procesi është në shqyrtim dhe se priten hapa të mëtutjeshëm institucionalë.



