
Nga Çmimi Saharov e deri te kandidimet për Nobël, jeta e Demaçit mbetet dëshmi e përkushtimit ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë së popullit shqiptar.
Më 4 dhjetor 1991, Parlamenti Evropian i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov për lirinë e mendimit, duke e cilësuar atë si luftëtar të paepur për të drejtat e njeriut dhe një zë të patrembur të lirisë. Duke e pranuar çmimin si një nderim për popullin e Kosovës, Demaçi theksoi se “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë”, duke nënvizuar rolin jetësor të së vërtetës dhe dialogut në përparimin shoqëror.
Çmimi Saharov, i themeluar në vitin 1988 dhe i pagëzuar me emrin e disidentit sovjetik Andrei Saharov, u kishte takuar më herët personaliteteve si Aleksandër Dubçek, Nelson Mandela e Aung San Suu Kyi. Me dekorimin e Demaçit, Parlamenti Evropian, siç tha vetë ai, “nderonte popullin e shumëvuajtur, liridashës e krenar të Kosovës”.
Vlerësimet ndërkombëtare për të nuk u ndalën këtu. Në vitin 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i ndau Çmimin Special për Paqe për qëndrim paqësor, tolerancë dhe kundërshtim të ksenofobisë, pikërisht në kohën kur qarqet serbe përpiqeshin ta paraqisnin si nxitës të konfliktit. Në vitin 1994 ai u kandidua dy herë për çmimin Nobel – fillimisht për letërsi, pastaj për paqe – duke e konsideruar këtë nder si mirënjohje për popullin shqiptar.
Më 14 dhjetor 1995, Universiteti i Oslos i dhuroi Çmimin për të Drejtat e Njeriut, me Demaçin që theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Adem Demaçi u lind në Prishtinë më 26 shkurt 1936, me prejardhje nga Lupqi i Podujevës. Qysh në rininë e hershme ai u shqua për guximin dhe kritikën ndaj padrejtësive të regjimit jugosllav. Për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe qëllimit për bashkimin kombëtar, u dënua disa herë me burg, duke kaluar gjithsej rreth 28 vjet nëpër qelitë e Jugosllavisë, shumë prej tyre në izolim të plotë.
Pas lirimit në vitin 1990, ai udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, shërbeu si zëdhënës politik i UÇK-së, ndërsa pas luftës mbeti i angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Në vitin 2010 u nderua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Demaçi ishte gjithashtu autor i një krijimtarie të pasur letrare, me vepra si Gjarpijtë e gjakut, Fërkime, Libër për Vet Mohimin, Shkrumbnajë e dashur dhe tituj të tjerë që lanë gjurmë në letërsinë shqipe.
Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme si simbol i qëndresës paqësore dhe zë i pandalshëm i lirisë.



