
Ish-presidenti amerikan kërkon transparencë të plotë dhe publikimin e dosjeve, duke kundërshtuar seancat me dyer të mbyllura të propozuara nga republikanët.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë publikisht në lidhje me çështjen Jeffrey Epstein, duke kërkuar që procesi të zhvillohet me transparencë të plotë dhe jo në seanca të mbyllura.
Në një reagim në rrjetin social X, Clinton bëri të ditur se ka kërkuar publikimin e plotë të dosjeve për rastin dhe se ka dhënë një deklaratë nën betim për gjithçka që di. Ai theksoi se ka pranuar të paraqitet personalisht para Komitetit të Mbikëqyrjes, por vetëm në një seancë publike.
Sipas tij, mbajtja e dëshmive pas dyerve të mbyllura nuk i shërben as viktimave dhe as interesit publik. “Nëse duan përgjigje, le ta bëjmë në mënyrën e duhur: në një seancë publike, ku qytetarët amerikanë mund të shohin vetë të vërtetën,” u shpreh ai.
Edhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, më herët kishte bërë thirrje për një përballje publike, duke akuzuar republikanët se po shmangin transparencën dhe po e politizojnë procesin.
Nga ana tjetër, kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes, James Comer, ka deklaruar se Clintonët nuk do të trajtohen ndryshe nga dëshmitarët e tjerë dhe ka kërkuar që dëshmitë të zhvillohen në një ambient privat.
Çështja Epstein vijon të mbetet një temë e debatit të fortë politik në SHBA, me kërkesa të shtuara për zbardhjen e plotë të fakteve dhe përgjegjësive.



