
Deputeti Përparim Gruda thotë se integriteti i votës është cenuar dhe kërkon që procesi të bëhet sërish për të garantuar legjitimitetin e rezultatit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kërkuar që Mitrovica të shkojë në rivotim pas dyshimeve për cenimin e procesit zgjedhor në disa qendra votimi.
Gjatë një konference për media, Gruda tha se PDK do të mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve, duke theksuar se vota dhe demokracia janë të shenjta. “Mitrovica duhet të shkojë në rivotim, sepse vetëm përmes një procesi të pastër mund të garantohet legjitimiteti i rezultatit dhe besimi i qytetarëve në demokraci,” deklaroi ai.
Gruda tha se gjatë procesit të numërimit, komisionerët e PDK-së kanë vërejtur parregullsi si bartja e fletëvotimeve me kode serike nga një qendër votimi në tjetrën, duke alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë. Ai theksoi se këto veprime cenojnë rëndë integritetin zgjedhor dhe shkelin Ligjin për Zgjedhjet, rregullat e KQZ-së dhe standardet e Komisionit të Venecias për një proces të drejtë dhe të lirë.
Gruda përmendi shembuj konkretë: fletëvotime të cilat i takonin shkollës “Abdullah Shabani” u gjetën në klasat e tjera; një fletëvotim nga shkolla “Ismail Qemali” u gjend në qendrën “Universiteti Isa Boletini”, ndërsa raste të ngjashme u konstatuan edhe në shkollat “Migjeni” dhe “Abdullah Shabani”. Ai shtoi se Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë ku dalja në votime në balotazh ishte më e lartë sesa në raundin e parë, duke rritur dyshimet për manipulim.
Sipas PDK-së, procesi zgjedhor në Mitrovicë ka qenë i shoqëruar me presion të madh, ndërhyrje në proces dhe ndikim tek votuesit, ndërsa i gjithë kabineti qeveritar ka qenë i pranishëm në komunë gjatë ditës së votimit.
Gruda konfirmoi se PDK do të dorëzojë zyrtarisht ankesën pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke përfshirë të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura nga komisionerët e saj.



