
Bedri Hamza shihet si kandidati kryesor; Enver Hoxhaj kritikon mbajtjen e konventës në afat kaq të shkurtër.
Të mërkurën, Memli Krasniqi thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku para gazetarëve njoftoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Menjëherë më pas, ai bëri të ditur se konventa e radhës e PDK-së do të mbahet sot, më 17 nëntor.
Në skenën politike të partisë, emri më i përfolur për të marrë drejtimin e PDK-së është Bedri Hamza. Ky i fundit ka lënë të kuptohet se është gati të marrë timonin e partisë më të madhe opozitare.
“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar Hamza.
Megjithatë, thirrja e konventës për sot është kritikuar nga ish-kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Ai ka thënë se një konventë përmbajtjesore nuk mund të organizohet në një periudhë kaq të shkurtër.
“E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë javën e ardhshme. Hajde të vendosim një standard të ri”, ka deklaruar Hoxhaj, duke shtuar se gara për kryetar të PDK-së nuk duhet trajtuar si proces i vogël, por si ngjarje e madhe politike me rëndësi për gjithë Kosovën.
Se kush do ta marrë udhëheqësinë e PDK-së, pritet të bëhet e ditur brenda orëve të ardhshme.



