PDK: Të respektohet procesi institucional dhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se për një takim me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e presidentit mund të takohen vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një komunikatë për media, partia më e madhe opozitare ka thënë se është e hapur për komunikim dhe dialog politik, por ka shtuar se për këtë duhet të pritet 31 marsi.

banner

“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, thuhet në reagim të PDK-së.

Gjatë ditës, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njoftoi se do t’u çojë ftesë liderëve të partive opozitare për takim javën e ardhshme për të diskutuar për çështjen e presidentit.

Më herët, edhe Lidhja Demokratike e mirëpriti ftesën, por tha se po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja e ka marrë në shqyrtim një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit që të zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars. Kushtetuesja ka pezulluar punën e Kuvendit dhe çdo veprim të Osmanit në drejtim të zgjedhjeve të reja deri më 31 mars.

Kurti kishte takuar para 5 marsit disa herë liderët e PDK-së dhe LDK-së por nuk ishte arritur dakordimi për kandidat konsensual për president. Në fund, VV-ja propozoi Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën, por në seancën e ftuar nuk pati kuorum dhe nuk nisi votimi për president.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.