
Pensionistët përballen me detyrimin për lajmërim çdo gjashtë muaj pranë Zyrave Pensionale për të dëshmuar se janë gjallë edhe mbi një muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme që ka shfuqizuar pjesë të udhëzimit administrativ. Ligji në fuqi i obligon në lajmërim dy kategori pensionistësh teksa Supremja e ka larguar këtë detyrim për të gjithë përfituesit e tjerë të pensioneve. Por, megjithëkëtë, të gjithë pensionistët po detyrohen që për t’i marrë pensionet, t’ia dëshmojnë shtetit se janë gjallë, shkruan KOHA.
Janë bërë më shumë se një muaj qëkur Gjykata Supreme i ka liruar personat që marrin pension kontributpagues të moshës, atë invalidor, të paaftësisë së përhershme, si dhe atë familjar nga obligimi për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj në Departamentin e Pensioneve për të dëshmuar se janë gjallë.
Pas rrëzimit nga Supremja të disa neneve të udhëzimit administrativ, i cili i përfshinte të gjitha kategoritë, obligimi për paraqitje, sipas Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, u mbetet veç atyre që marrin pension bazik të moshës dhe atë të parakohshëm.
Por, në terren ndryshimi nuk vërehet. Të gjithë pensionistët ende lajmërohen në zyra të Departamentit Pensional dhe aty u caktohen edhe terminët e radhës për paraqitje.
Këtë e kanë konfirmuar disa prej pensionistëve që gjatë javës janë lajmëruar në këto zyra.
“Po po, ma cekën, po. Pas gjashtë muajsh në qershor”, ka thënë pensionistja Nurije Berisha-Prekaj.
E Fadil Ramadani ka thënë se është lajmëruar pasi një fqinj e ka informuar se duhet që ta bëjë këtë.
“Ai është lajmëruar dhe i kanë thënë se ende nuk u ka ardhur me shkresë ky ligji që s’ka nevojë më të lajmërohet. E tash se sa do të zgjatë, e a do të aprovohet ajo apo si, meqë po thonë se gjykata e ka pranuar atë, tash se si do të bëjnë këta nuk e di unë. Ma merr mendja se diçka duhet të ndryshojë, por është neglizhencë e madhe këtu. Këtu i mjeri ai që vjen”, është shprehur ai.
Pensionisti Halil Doda është shprehur i pakënaqur për këtë situatë.
“Po, po punojnë normalisht si më herët. Kur të vdesë pacienti, një kopje e raportit të mjekut u shkon financave dhe ai shlyhet automatikisht, por në qoftë se është puna që të punësohen dy veta, ai është tjetër problem. E në fakt, fare nuk është e nevojshme kjo…”, ka theksuar ai.
Vërejtje për këtë situatë ka shprehur edhe sekretari i Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, Osman Vitia.
“Dihet aktgjykimi i gjykatës, por nuk është duke u zbatuar. Referenca e këtyre në zyra të pensioneve, na thonë që duhet të lajmëroheni derisa të na vijë vendimi. Ende thonë se nuk kemi vendim, prandaj na duhet të lajmërohemi”, ka thënë Vitia.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit kanë thënë se nuk kanë informata se si është duke u zbatuar aktgjykimi i Supremes, teksa kanë bërë thirrje që Ministria e Financave të dalë me një sqarim. Në këtë institucion që prej vitit 2016 i kanë bërë vërejtje shtetit lidhur me këtë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar raport me rekomandime, ku është konstatuar se detyrimi për paraqitje çdo gjashtë muaj e cenon dinjitetin e pensionistëve. Në këtë raport, Avokati i Popullit i kishte rekomanduar atëherë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të ndryshojë dispozitat e Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, që obligojnë paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj dhe të funksionalizojë burimet e saj verifikuese në raport me statusin e pensionistëve”, është thënë në përgjigjen e Avokatit të Popullit për KOHËN.
Avokati Muhamet Mujaj, i cili e ka fituar padinë në Supreme për udhëzimin administrativ, ka theksuar se zyrtarë në Departamentin e Pensioneve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, ende nuk janë vetëdijesuar mjaftueshëm për zbatimin e aktgjykimit.
“Ka raste që janë vetëdijesuar e nuk po e praktikojnë t’i thërrasin në obligime të lajmërimit. Nëse vazhdohet me moszbatim, moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale”, ka thënë ai.
Në Ministrinë e Financave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen.
E, megjithëqë pensionistët kanë deklaruan se zyrtarë të Ministrisë u kanë thënë që nuk e kanë pranuar vendimin nga Supremja, të kundërtën e kanë pretenduar në këtë gjykatë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, ka thënë se përveçqë vendimi u është dorëzuar palëve, ai është publikuar tashmë edhe në Gazetën Zyrtare.



