
Avokati thotë se do të hyjë në garë si kundërkandidat i Konjufcës për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokadë institucionale.
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se synon të hyjë në garën për President të Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e 30 deputetëve për të formalizuar kandidimin e tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Koci ka ftuar deputetët e pozitës dhe opozitës që t’ia japin nënshkrimet e nevojshme, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit, ku kandidati i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje është Glauk Konjufca.
Sipas tij, kjo nismë ka për qëllim të shmangë një krizë të re politike dhe mundësinë që vendi të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale.
“Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Koci.
Ai theksoi se është i vetëdijshëm se mundësitë për t’u zgjedhur janë të vogla, por shtoi se po e ndërmerr këtë hap për të kontribuar në shmangien e një bllokade të re institucionale. Sipas tij, edhe në rast të zgjedhjeve të reja, raporti aktual i forcave politike mund të mos ndryshojë në mënyrë thelbësore situatën.
Koci gjithashtu bëri të ditur se nuk ka kontaktuar askënd për të kërkuar votë dhe nuk planifikon ta bëjë një gjë të tillë. “Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, ka deklaruar ai.



