Përveç Mitrovicës, KQZ: I njëjti gabim teknik me fletëvotime është konstatuar edhe në Gjakovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se problemi me kodet e vendvotimeve në disa fletëvotime ka ndodhur për shkak të një defekti në printerin mekanik dhe nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gabimi i raportuar në Mitrovicë lidhur me fletëvotimet është vërejtur edhe në komunën e Gjakovës. Sipas KQZ-së, bëhet fjalë për një gabim teknik në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.

banner

Në njoftimin zyrtar, KQZ ka sqaruar se pas pranimit të informatave nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë, është konstatuar se në disa dengje të fletëvotimeve ka ndodhur një defekt gjatë procesit të shtypjes.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast,” thuhet në reagimin e KQZ-së.

Institucioni thekson se ky gabim nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor dhe se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. “Për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës,” ka bërë të ditur KQZ.

KQZ ka siguruar publikun dhe votuesit se bëhet fjalë vetëm për një gabim teknik, ndërsa fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që pamundësojnë falsifikimin apo kopjimin e tyre.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.