
Diplomati amerikan thekson se procesi i dialogut me Serbinë është i vështirë pa një qeveri funksionale.
Diplomati amerikan, Philip Reeker, ka deklaruar se Republika e Kosovës ka nevojë për një qeveri të aftë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se kjo është çelësi për përparim në procesin e dialogut me Serbinë.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve, Reeker ka theksuar se kur njëra palë refuzon të implementojë një marrëveshje, duhet të propozohet një ide e re për të negociuar më tej. Megjithatë, sipas tij, ky është një proces i vështirë kur qeveria nuk është në gjendje të marrë vendime ose të angazhohet zyrtarisht në dialog.
“Ky proces është udhëhequr nga BE-ja, me mbështetjen e SHBA-ve, por disa marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht. Nëse njëra palë nuk zbaton diçka, duhet të propozojë mundësi të reja dhe të negociojë përsëri,” ka thënë Reeker.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës dhe të gjithë rajonit meritojnë të shohin përparim pas më shumë se një çerek shekulli që nga lufta e Kosovës. Reeker theksoi se SHBA vazhdon të mbështesë Kosovën, por përparimi i qëndrueshëm varet nga një qeveri që mund të zbatojë marrëveshjet dhe të angazhohet në negociata për çështjet e mbetura.



