
Burime brenda administratës thonë se një sulm fillestar nga Izraeli do ta bënte politikisht më të pranueshme një ndërhyrje amerikane.
Këshilltarë të lartë të presidentit amerikan Donald Trump po shqyrtojnë mundësinë që Izraeli të godasë i pari Iranin, duke besuar se një skenar i tillë do të krijonte terren më të favorshëm politik për një ndërhyrje të mëvonshme të Shteteve të Bashkuara.
Sipas raportimit të Politico, që citon dy persona të njohur me diskutimet brenda administratës, ekziston bindja se opinioni publik amerikan do ta pranonte më lehtë një luftë me Iranin nëse SHBA-ja ose një aleat i saj do të sulmoheshin të parët.
“Ka mendime brenda dhe rreth administratës se politikisht është shumë më mirë nëse izraelitët shkojnë të parët dhe të vetëm, e pastaj iranianët hakmerren ndaj nesh, duke na dhënë më shumë arsye për të vepruar,” kanë thënë burimet për median amerikane,përcjell The Jerusalem Post.
Megjithatë, në diskutime po merren parasysh edhe rreziqe të tjera, përfshirë mundësinë e shterimit të rezervave amerikane të municioneve, çka mund t’i krijonte hapësirë Kina-s për të vepruar ndaj Tajvanit. Po ashtu, shqetësim mbetet edhe mundësia e viktimave amerikane në rast të një përshkallëzimi të gjerë ushtarak.
Një nga burimet ka paralajmëruar se në rast të një sulmi me synim rrëzimin e regjimit, Irani ka gjasa të hakmerret me të gjitha kapacitetet e tij, duke vënë në rrezik asetet amerikane në rajon dhe duke shtuar rrezikun politik për administratën.



