
Ligji i nënshkruar nga Presidenti Nawrocki ndalon fermat e reja dhe mbyll gradualisht 281 fermat ekzistuese deri më 2033.
Polonia ka i dhënë fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi, sipas të përditshmes italiane Wired. Presidenti Karol Nawrocki nënshkroi të martën ligjin që ndalon përdorimin e gëzofit, duke e bërë Poloninë shtetin e 18-të të Bashkimit Evropian që heq dorë nga një praktikë e cila rezultonte çdo vit në vdekjen e rreth tre milionë vizonëve, dhelprave, qenve, rakunëve dhe çinçilëve.
Ky vendim godet drejtpërdrejt një sektor ku Polonia ishte prodhuesja kryesore evropiane dhe e dyta më e madhe në botë, pas Kinës. Aktualisht, në vend operonin 281 ferma – përfshirë 169 ferma vizonësh, 37 ferma dhelprash, 11 fermat e qenve e rakunëve dhe 64 ferma çinçilash.
Nënshkrimi i ligjit erdhi pasi Sejmi (Dhoma e Ulët) dhe Senati polak e miratuan muajin e kaluar në bazë të një marrëveshjeje ndërpartiake. E vetmja kundërshtim erdhi nga partia e ekstremit të djathtë “Konfederacja”, raporton Notes from Poland.
Projektligji parashikon ndalimin e menjëhershëm të fermave të reja dhe mbylljen e atyre ekzistuese deri më 31 dhjetor 2033. Ai përfshin edhe një sistem kompensimi për ata që ndalojnë aktivitetin më herët: fermerët që braktisin prodhimin deri më 1 janar 2027 do të marrin deri në 25% të të ardhurave mesatare të viteve 2020–2024.
Industria e gëzofit në Poloni kishte nisur rënien prej vitesh. Sipas Business of Fashion, eksportet e gëzofit të vizonit kanë rënë nga 402 milionë euro në vitin 2015 në vetëm 71 milionë euro në vitin 2024. Në të njëjtën periudhë, numri i fermave të vizonit ka rënë nga 810 në 281.
Sipas sondazheve të fundit, 66% e polakëve mbështesin vendimin e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj industrie.



