
Analisti Xhevdet Pozhari reagoi ndaj drejtorit të shkollës “Sveti Sava”, duke e cilësuar ndalimin e një fëmije serb nga mësimi si praktikë të ndikimit politik të Listës Serbe dhe duke kujtuar situatën e dikurshme në veri të vendit.
Analisti Xhevdet Pozhari ka reaguar ndaj rastit në Shushicë të Graçanicës, ku drejtori i shkollës “Sveti Sava”, Milan Dimitrijeviç, kishte përjashtuar nga procesi mësimor një fëmijë serb 6-vjeçar, Gjorgjin. Sipas Pozharit, shkaku i këtij vendimi ishte fakti që familja e fëmijës jetonte në një shtëpi të ndërtuar me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe nuk i nënshtrohej ndikimit të Listës Serbe.
“Dje pamë një Milan tjetër në Graçanicë, derisa Milan Radoiçiqi i veriut i ikë drejtësisë. Një Milan që kishte ndaluar shkollimin e një fëmije serb vetëm pse shtëpia e tij ishte ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Kosovës, vetëm pse familja e tij nuk i nënshtrohej Listës Serbe”, shkroi Pozhari.
Ai tha se ky rast tregon qartë klimën politike që ishte krijuar dikur në veri të vendit nën kontrollin e strukturave të Listës Serbe. Pozhari kujtoi se situata e atëhershme i kishte shtyrë liderë politikë si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të përballeshin me rrethana të vështira, përfshirë propozimet për korrigjim kufijsh dhe lëvizjet ilegale në territor.
Megjithatë, analisti thekson se sot gjendja ka ndryshuar, duke u shprehur se shteti ka shtrirë kontrollin në veri dhe se raste të tilla nuk mund të ndalojnë funksionimin institucional. Ai njoftoi se pas reagimeve, fëmija pritet t’i kthehet mësimit të hënën.
“Më s’ka dhe s’do të ketë ‘Milan’ që mund ta ndalë funksionimin e shtetit. Kurrë”, përfundoi Pozhari.



