President brenda 34 ditësh ose zgjedhje më së largu më 7 qershor

Ligjvënësve u jepen 34 ditë për zgjedhjen e presidentit; në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke i hapur rrugë një afati të ri për zgjedhjen e kreut të shtetit.

banner

Sipas aktgjykimit të publikuar të mërkurën, deputetët e Kuvendit kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit. Në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda këtij afati, atëherë ai shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas kërkesës së Qeverisë dhe të shefes së grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, së bashku me 30 deputetë të tjerë, të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit presidencial të 6 marsit 2026.

Në aktgjykim theksohet se dekreti nr. 24/2026 “nuk prodhon asnjë efekt juridik”, ndërsa në pikat pasuese përshkruhen qartë hapat që duhet të ndërmarrë Kuvendi. Nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit të caktuar, shpërndarja e Kuvendit bëhet automatikisht në bazë të Kushtetutës, duke detyruar organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sipas afateve kushtetuese dhe interpretimit të Gjykatës, në rast dështimi për zgjedhjen e presidentit, qytetarët mund t’u drejtohen kutive të votimit deri më 7 qershor.

Kushtetuta e Kosovës kërkon që presidenti i ri të zgjidhet më së largu 30 ditë para përfundimit të mandatit të atij aktual. Ky afat përfundoi më 5 mars, kur seanca për zgjedhjen e presidentit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi u bojkotua nga partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancpn për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.