Presidentja Osmani viziton Malishevën, njoftohet me gjendjen pas reshjeve të fundit

Kryetari Ekrem Kastrati kërkon mbështetje nga niveli qendror për sanimin e dëmeve dhe rindërtimin e infrastrukturës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar në orët e mbrëmjes Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve të fundit të shiut dhe sfidat me të cilat po përballet kjo komunë.

banner

Kryetari Kastrati e falënderoi Presidenten për vizitën dhe e informoi atë për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe rreziqet potenciale që kanë kërcënuar komunën. Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe se komuna u ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.

“Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”, tha Kastrati, duke e informuar Presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai kërkoi mbështetje nga niveli qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e qytetarëve të prekur dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.

Nga ana e saj, Presidentja Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidaritetin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale. Ajo theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet.

“Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, tha Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryetari Kastrati vizituan edhe digën e Liqenit të Mirushës për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.