
Nxënësit do të kenë një orë mësimi për AI, ndërsa njohuritë e fituara do t’i kthejnë në projekte reale
Nxënësit e shkollave fillore në Prishtinë, nga sot, do të ndjekin një orë mësimi kushtuar Inteligjencës Artificiale (AI). Këtë nismë e ka bërë të ditur kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili e ka cilësuar si një revolucion të ri në arsimin publik.
“Sot nisi edhe një revolucioni tjetër i arsimit publik në Kryeqytet! Në partneritet me Shkollën Digjitale, gjatë këtij viti, çdo shkollë fillore merr një orë edukim në Inteligjencë Artificiale”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, pas orëve të para, nxënësit dhe mësimdhënësit do të marrin pjesë në trajnimin praktik “Ndërto me AI”, me qëllim që njohuritë e fituara t’i shndërrojnë në projekte konkrete.
Me këtë hap, Kosova bëhet një nga vendet e para në botë që e përfshijnë Inteligjencën Artificiale në sistemin formal arsimor. “Ky hap e rendit Kosovën ndër vendet e para në botë që e futin IA-në në shkollim. Prishtina, përtej metodave të vjetëruara të arsimit”, ka theksuar Rama.



