Prishtina po përballet me ndotje ekstreme të ajrit: tejkalim deri në 200 për qind

Eksperti Ilir Morina paralajmëron rrezik serioz për shëndetin publik, duke fajësuar termocentralet, automjetet dhe mungesën e filtrave në “Kosovën B”.

Eksperti i ndotjes së ajrit, Ilir Morina, ka paralajmëruar se cilësia e ajrit në Prishtinë është rënduar në nivel alarmant, duke theksuar se ndotja ka tejkaluar normat e lejuara me 100 deri në 200 për qind. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se ndryshimet atmosferike, mungesa e erës, rënia e temperaturave dhe mjegulla kanë krijuar një “smog” të rrezikshëm për popullatën.

banner

Morina tha se termocentralet mbeten ndotësit kryesorë, duke kontribuar deri në 40% të ndotjes së përgjithshme, ndërsa mungesa e filtrave në “Kosovën B” dhe vjetërsimi i mirëmbajtjes së tyre po e rëndojnë situatën. Ai përmendi gjithashtu rritjen e numrit të automjeteve, mungesën e kontrolleve teknike dhe djegien e lëndëve të ngrohjes si faktorë shtesë të ndotjes.

“Rreth 400 mijë automjete të regjistruara, automjetet tjera transportuese, peletet dhe forma të ndryshme të djegies së pakontrolluar po na shkaktojnë probleme serioze”, tha ai. Morina u shpreh i shqetësuar edhe për rritjen e rasteve me kancer, duke treguar se vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 1,010 raste të reja, ndërsa gjatë vitit 2024 numri ka kaluar 3,640 raste.

Sipas tij, neglizhenca institucionale në investimet mjedisore ka përkeqësuar situatën, ndërsa projektet për përmirësimin e filtrave në termocentralet e Kosovës, të financuara që nga viti 2019, nuk janë realizuar. Ai tha se aktualisht po përmendet një tender prej 75 milionë eurosh, të cilin e cilësoi të pasigurt për shkak të zhvillimeve politike.

Morina u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë periudhave të ndotjes së lartë, të përdorin maska dhe të shmangin daljen pa nevojë. Ai tha se personat me probleme të frymëmarrjes duhet të mbyllin dritaret dhe të monitorojnë gjendjen e ajrit, pasi rritja e sëmundjeve respiratore dhe infektive është e dukshme.

“Ndotja e ajrit ka qenë problem çdo vit, dhe pa investime serioze situata mund të përkeqësohet edhe më shumë”, deklaroi eksperti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.