
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka.
Ai po akuzohet për dyshime për dallavere gjatë kohës sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës. Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë për media.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Faruk Mujka, bashkë me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, i kanë dëmtuar dëm AKP-së mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftim.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet edhe për veprën penale ‘Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare’. Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M.” – përfundon komunikata.
Prokuroria Speciale e kishte arrestuar Faruk Mujkën në korrik të vitit 2023, pasi dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në njoftim thuhet se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 60 mijë euro dhe se vepra për të cilën dyshohen Mujka dhe një ish-zyrtar tjetër është “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.



