
Dyshime për mospërputhje të numrave serikë në disa fletëvotime; KQZ thotë se bëhet fjalë për gabim teknik që nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar mbrëmë se ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, pas raportimeve për parregullsi në disa prej tyre.
Sipas njoftimit, ndërprerja ka ardhur si pasojë e mospërputhjes së numrave serikë në disa fletëvotime, çka ka ngritur dyshime për gabime teknike, por edhe për mundësi manipulimi të qëllimshëm.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies së të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar gjatë natës, duke sqaruar se mospërputhjet e raportuara në Mitrovicë janë pasojë e një gabimi teknik në printerin mekanik që shtyp të dhënat variabile të fletëvotimeve. Një situatë e ngjashme, sipas KQZ-së, është regjistruar edhe në Gjakovë.
KQZ ka bërë të ditur se kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve ka pranuar mundësinë e një defekti teknik dhe pritet të publikojë një raport sqarues në ditët në vijim.
“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe ky gabim nuk ndikon në integritetin e votimit apo numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie,” ka deklaruar KQZ.
Procesi i numërimit në Mitrovicë pritet të vazhdojë pasi të merret përgjigjja zyrtare nga kompania e shtypjes së fletëvotimeve dhe të sqarohet nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të mundshëm.



