
Sindikata kërkon seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit; punëtorët paralajmërojnë hapa të tjerë sindikalë nëse buxheti nuk alokohet.
Sot, punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës do të nisin një grevë njëorëshe, për shkak të mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, çka ka bërë që ata të mbeten pa paga tash e 16 ditë.
Sindikata e Radios ka kërkuar që të mblidhet urgjentisht Kryesia e Kuvendit dhe të caktohet një seancë e jashtëzakonshme që do të trajtonte çështjen e RTK-së.
Edhe pse prodhimi dhe puna po vazhdojnë, punëtorët kanë hyrë në ditën e 16-të pa kompensim financiar. Nga e hëna, stafi i RTK-së do të mbajë grevë njëorëshe nga ora 11:00.
“Kemi njerëz që udhëtojnë prej qyteteve të ndryshme të Kosovës, të cilët nuk mund të vijnë për të kryer punën për shkak të mungesës së pagave. Disa kanë edhe probleme shëndetësore, dhe sëmundja nuk pret. Nuk ka asnjë lëvizje për alokimin e mjeteve për RTK-në. Ne kemi mbetur pa përkujdesje institucionale,” tha Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
Edhe Sindikata e Pavarur e RTK-së thotë se gjendja po rëndon mirëqenien e punonjësve dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve.
“Kjo gjendje është e papranueshme. Jemi duke ndërmarrë çdo hap sindikal për të realizuar kërkesën tonë të vetme: transferimin e buxhetit të RTK-së dhe pagave të punëtorëve. Nuk përjashtohen grevat apo masa të tjera,” tha Driton Beqiri.
Nga Sindikata e Radio Kosovës kërkohet mbledhje e menjëhershme e Kryesisë së Kuvendit.
“Duhet një seancë urgjente me të vetmen pikë të rendit të ditës – buxhetin e RTK-së,” theksoi Pajazit Krasniqi.
Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka dërguar letër zyrtare Qeverisë dhe Kuvendit për të kërkuar alokimin e mjeteve të nevojshme.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që urgjentisht të formojnë komisionet e përhershme për të siguruar buxhetin për transmetuesin publik.



