PZAP gjobit LVV-në me 6,000 euro pas ankesave të LDK-së

Vendimi i 25 dhjetorit 2025 konstatoi përdorim të burimeve publike për qëllime elektorale nga kandidatët e LVV-së.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe ka shqiptuar një gjobë prej 6,000 eurosh ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

banner

Sipas vendimit të datës 25.12.2025, me numra ZP.Anr.41/2025, ZP.Anr.43/2025 dhe ZP.Anr.45/2025, PZAP ka konstatuar se kandidatët e LVV-së kanë përdorur burime publike për qëllime elektorale, në kundërshtim me legjislacionin zgjedhor në fuqi.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kandidatja për deputete Arbëre Nagavci ka shfrytëzuar zyrën e saj si ministre në detyrë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për aktivitete të fushatës zgjedhore. Po ashtu, kandidati Hysen Durmishi ka përdorur pronë publike gjatë një aktiviteti të mbajtur në Mitrovicë, duke përfituar në aspekt elektoral.

PZAP vlerësoi se këto veprime përbëjnë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenit 36, paragrafi 1, si dhe të dispozitave të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024, të cilat rregullojnë fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar të subjekteve politike.

Sipas vendimit, Lëvizja Vetëvendosje obligohet që gjobën prej 6,000 eurosh ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.