
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka reaguar ndaj deklaratës së Albin Kurtit, kryeministër në detyrë, i cili mbrëmë në Kanal 10 e përmendi me emër Rafunën.
“Oda Ekonomike Kosovës i mbylli hyrjet dhe daljet e Prishtinës me një rast. Këtë e bëri kryetari i kësaj ode i cili ka qenë ushtrues detyrës i Ministrit të Financave në kohën e PDK-së. Kjo i bie që kryetari i OEK-ut herën e ardhshme me u bë Avni Zogiani, kështu është Rafuna. Nuk ia ndaloj Zogianit, por nuk bëhet. Kur thoni Oda Ekonomike, njeriu mendon që aty është një ndërmarrës i zellshëm. Ka qenë ministër i financave. Më gjeni një vend demokratik ku ministri i Financave bëhet kryetar i Odës Ekonomike. Ministri I financave, kryetar i OEK-ut këto janë përçudnim në vendin tonë, këto janë përcudtni që janë trashëgimi e mbrapsht e të kaluarës”, tha mbrëmë Kurti.
Rafunda ka pretenduar se ekzistojnë dy vende të tilla.
“Sa i përket asaj që nuk është praktikë, më lejoni t’ju sjell vetëm dy shembuj konkretë, që në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian janë ministrat që janë edhe kryetarë të odave. Shembull, e kemi kryetarin e odave evropiane, i cili është edhe ministër i Ekonomisë së Çekisë dhe ai tani ushtron për dy mandate si president i odës evropiane; po ashtu e kemi edhe kolegun nga Oda Ekonomike e Kroacisë”, tha ai.
Tutje, Rafuna vlerësoi se që një kohë të gjatë s’ka pasur dialog me qeverinë.
“Ne për një kohë të gjatë nuk kemi pasur dialog me qeverinë dhe ka munguar dialogu publiko-privat. Ne, përkundër mungesës së dialogut, përmes mediumeve jemi munduar t’i çojmë kërkesat, ta alarmojmë qeverinë që një politikë që nuk ka qenë e mirë, e që ka mundur të ndikojë negativisht te bizneset siç ka qenë puna e energjisë elektrike ta adresojmë, dhe kemi gjetur forma të tjera komunikimi për t’ia dërguar qeverisë nëse ajo politikë vlen apo jo” – tha Rafuna.



