
Kryeministri i Shqipërisë e quan procesin ndaj ish-presidentit “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ndodhet në paraburgim. Pas takimit, Rama ka deklaruar se Thaçin e ka gjetur në formë të mirë, të qetë dhe buzëqeshur.
Ai tha se gjatë takimit kanë biseduar për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe për libra. Rama përmendi librin “Skënderbeu” të Aurel Plasarit, të cilin ia kishte dërguar më herët Thaçit, librin e fundit të Henry Kissingerit që ia çoi këtë herë, si dhe disa libra të tjerë nga leximet e tij të shumta në këtë vend, që Thaçi, sipas Ramës, me shaka e quan “institut”.
“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, të cilin e gjeta në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt”, ka shkruar Rama, transmeton Klankosova.tv.
Në reagimin e tij, Rama ka përdorur tone të ashpra ndaj procesit gjyqësor, duke e cilësuar atë si një padrejtësi të rëndë ndaj ish-presidentit dhe ndaj Kosovës.
Ai tha se nuk di më çfarë të thotë për, siç e quajti, “padrejtësinë ulëritëse” që po ndodh në zemër të Evropës demokratike, me bekimin dhe fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist”, ka shkruar Rama.
Në fund, kryeministri shqiptar ka shprehur mbështetje për Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të paraburgosurit në Hagë.
“Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, ka përfunduar Rama.



