“Rasti Ibër – Lepenc”, Kurti: Hetimet konfirmojnë përfshirjen e strukturave ilegale serbe

Kryeministri deklaron se provat e siguruara nga institucionet e Kosovës dhe FBI-ja lidhin të akuzuarit me rrjetet ilegale të Serbisë dhe sulmin terrorist të 29 nëntorit 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin terrorist të ndodhur më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër–Lepenc. Sipas Kurtit, ky zhvillim vjen pas një bashkëpunimi të suksesshëm mes institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe asistencës së FBI-së.

banner

Duke rikujtuar deklarimet e tij menjëherë pas sulmit, Kurti theksoi se informacionet e institucioneve të sigurisë e kanë orientuar që në fillim drejt përfshirjes së Serbisë, të cilën e quajti “fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”. Ai tha se provat e siguruara gjatë hetimit vërtetojnë se tre të akuzuarit, të gjithë shtetas serbë, kanë qenë në vendngjarje natën kritike.

“Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit”, u shpreh Kurti, duke shtuar se procesi gjyqësor do të dëshmojë lidhjen e tyre me rrjetet ilegale serbe dhe me Millan Radoiçiqin, të cilin e quajti “mik të Vuçiqit” dhe “terrorist”.

Kryeministri akuzoi Beogradin zyrtar për mohimin e përgjegjësisë dhe për fushata dezinformuese që, sipas tij, synuan të krijonin konfuzion mbi motivet dhe autorët e sulmit. Megjithatë, Kurti tha se aktakuza e ngritur më 8 dhjetor 2025 do të konfirmojë konstatimet e institucioneve të Kosovës, për të cilat ai kishte folur edhe në konferencat për media të 29 nëntorit dhe 24 dhjetorit 2024, si dhe gjatë vizitës së tij në Varagë.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe sundimit të ligjit. “Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi,” deklaroi Kurti.

Në fund, kryeministri falënderoi institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë – veçanërisht SHBA-të – si dhe qytetarët, për kontributin e tyre në ndërtimin e një Kosove më të sigurt, më paqësore dhe më të fortë në aspekte ekonomike, juridike dhe demokratike.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.