
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të lajmit nga Gazetapolitika për rastin në komunën e Graçanicës, ku një fëmijë nga komuniteti serb nuk është lejuar të vijojë mësimin në shkollën publike të zonës ku jeton, vetëm sepse familjes së tij i është ndërtuar një shtëpi nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas ministres, ky veprim bie ndesh me Konventën për të Drejtat e Fëmijës (nenet 2 dhe 28), e cila garanton të drejtën për arsim pa diskriminim dhe qasje të barabartë për çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo statusit.
Ministrja theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës (Neni 47) dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar (Nenet 3 dhe 40) ndalojnë mohim të së drejtës për arsim dhe obligojnë institucionet të sigurojnë arsim gjithëpërfshirës. Çdo pengesë në procesin e regjistrimit përbën shkelje të qartë të këtyre dispozitave dhe bie ndesh me Ligjin kundër Diskriminimit Nr. 05/L-021.
Në një deklaratë për media, ministrja ka kërkuar nga autoritetet lokale që urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mundësuar regjistrimin e fëmijës dhe vijimin e mësimit në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjin dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, mbesim të përkushtuar që çdo fëmijë, pa dallim etnie apo prejardhjeje, të gëzojë qasje të plotë, të barabartë dhe të sigurt në sistemin arsimor”, shkroi ajo në reagim.



