
MPB-ja serbe thotë se A.Q. dyshohet për organizim grupi dhe nxitje të gjenocidit; autoritetet e Kosovës ende nuk kanë reaguar.
Serbia njoftoi të martën se ka arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me iniciale A.Q., i cili sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjes për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në njoftim pretendohet se në prill të vitit 1998 A.Q. iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj postit kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa MPB-ja serbe tha se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurorinë kompetente. Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.



