
Drejtoria e Emergjencave thotë se situata është nën kontroll dhe se ekipet janë të gatshme për çdo rast.
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar telashe në disa lagje të Kryeqytetit, duke sjellë vërshime dhe dëme materiale. Lajmin e ka bërë të ditur Fatmir Bilalli nga Drejtoria e Emergjencave në Prishtinë.
Në një prononcim për Klan Kosova, Bilalli tha se ekipet emergjente janë angazhuar vazhdimisht për t’u marrë me pasojat e reshjeve dhe për të ndihmuar qytetarët e prekur. Sipas tij, rasti më i rëndë deri më tani është identifikuar në lagjen e Vranjevcit, e njohur edhe si Kodra e Trimave.
“Rasti më i rëndë deri më sot është ai i një familjeje katër-anëtarëshe, e cila duhet të evakuohet dhe të strehohet, pasi kushtet në shtëpinë e tyre nuk janë për jetesë. Që nga sonte do t’i evakuojmë dhe do t’iu sigurojmë një banesë deri në rregullimin ose renovimin e shtëpisë së tyre”, tha Bilalli.
Ai shtoi se, pavarësisht reshjeve, nuk priten telashe të mëdha dhe se institucionet përgjegjëse janë të përgatitura për të reaguar në çdo situatë eventuale.



