Reuters: SHBA i kërkon Ukrainës të pranojë planin për paqe, që përfshin dorëzimin e territoreve

Burime të afërta me çështjen thonë se Uashingtoni po e shtyn Kievin të pranojë një marrëveshje që do të zvogëlonte ushtrinë ukrainase dhe do të dorëzonte pjesë të armatimit dhe territoreve.

Shtetet e Bashkuara i kanë sinjalizuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të përgatitur nga Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës, e cila përfshin dorëzimin e territoreve dhe një pjesë të armatimit, raportoi të mërkurën agjencia “Reuters”, duke cituar dy burime të afërta me çështjen.

banner

Sipas burimeve, të cilat kërkuan të mbeten anonime për shkak të ndjeshmërisë së temës, drafti amerikan parashikon edhe zvogëlimin e forcave të armatosura të Ukrainës, dhe SHBA kërkon që Kievi të pranojë pikat kryesore të propozimit.

Një marrëveshje e tillë do të përbënte hap të madh prapa për Kievin, i cili përballet me përparime territoriale të forcave ruse në lindje dhe me skandal korrupsioni brenda qeverisë. Të mërkurën, parlamenti ukrainas shkarkoi ministrin e Energjisë dhe ministrin e Drejtësisë.

Më herët, një zyrtar i lartë ukrainas i tha Reuters se Kievi kishte pranuar “sinjale” për disa propozime amerikane që Uashingtoni i kishte diskutuar me Rusinë — pa pjesëmarrjen e Ukrainës në hartimin e tyre.

Ndërkohë, Zelensky po zhvillon vizitë zyrtare në Turqi, ku u takua me presidentin turk Rexhep Erdogan, dhe pritet të takohet të enjten në Kiev me zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë.

Lajmi për përpjekjet e SHBA-së për të ringjallur procesin e paqes ndikoi menjëherë në tregjet financiare, duke shkaktuar rritjen më të madhe në muajt e fundit të çmimeve të letrave me vlerë të Ukrainës.

Asnjë takim i drejtpërdrejtë mes Kievit dhe Moskës nuk është mbajtur që nga korriku në Stamboll, por sinjalet e fundit sugjerojnë se përpjekjet për rifillimin e dialogut po marrin momentum — megjithëse Rusia nuk ka shfaqur gatishmëri për të ndryshuar kushtet e saj.

Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të tërheqë trupat nga katër provincat që Moska pretendon se i ka aneksuar. Ukraina ka deklaruar se nuk do t’i pranojë këto kushte.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.