
Gazetarja Nexhmije Beqiri pretendon se e reja e zhdukur prej 16 vitesh mund të jetë gjetur, ndërsa familja vazhdon kërkimet dhe kërkon drejtësi.
Shpresat për zbardhjen e fatit të Bleona Matës, e zhdukur prej 16 vitesh, janë rindezur pas pretendimeve të reja se ajo mund të jetë gjallë.
Sipas gazetares shqiptare Nexhmije Beqiri, Bleona ndodhet në Gjermani, megjithëse ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me këtë informacion.
Nëna e saj, Bukurie Veizi, ka rrëfyer në emisionin “Kosova Today” se prej 16 vitesh ka lënë gjithçka për të kërkuar vajzën. “Unë që 16 vjet s’kam punuar, vetëm e kam kërkuar vajzën dhe jetoj tek prindërit. Jam shkatërruar në të gjitha anët”, ka thënë ajo në Klan Kosova.
Ndërkohë, avokati i familjes, Idajet Beqiri, ka deklaruar se personat që dyshohet se e kanë rrëmbyer Bleonën mund të përballen me dënime nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Ai shtoi se një çift i dyshuar për rrëmbimin e saj tashmë është identifikuar.
Rasti i Bleona Matës mbetet një nga rastet më të ndjeshme të zhdukjeve në hapësirën shqiptare, ndërsa familja vazhdon të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë.



