
Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon dekretin e Vjosa Osmanit, deputetët kanë mbi një muaj për zgjedhjen e presidentit.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka shpallur pa efekt dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke i dhënë deputetëve pak më shumë se një muaj kohë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ky zhvillim është cilësuar si moment kyç për të ardhmen institucionale të vendit nga Robert Lansing Institute, i cili paralajmëron për një cikël të mundshëm krizë–zgjedhje–krizë nëse situata nuk zgjidhet brenda afateve kushtetuese.
Sipas analizës, mungesa e një presidenti funksional përbën rrezikun më urgjent, pasi cenon legjitimitetin institucional dhe bllokon procese të rëndësishme shtetërore, përfshirë emërimet në pozita kyçe.
Instituti thekson se boshllëqet në funksionimin e institucioneve, veçanërisht në sektorin e sigurisë, mund të krijojnë hapësirë për ndërhyrje të jashtme dhe ndikime destabilizuese.
Po ashtu, paralajmërohet se përhapja e narrativave që e paraqesin Kosovën si shtet jofunksional rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
Në këtë kontekst, analiza ngre një dilemë strategjike për stabilitetin demokratik: sa i besueshëm është një shtet që nuk arrin të garantojë zgjedhjen e presidentit të vet.



