
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shtuar retorikën për largimin Amerikës nga aleanca e NATO-s, por do të pengohej nga një ligj i miratuar tre vjet më parë, dhe një nga autorët e këtij ligji ishte vetë sekretari aktual i Shtetit, Marco Rubio.
Në vitin 2023, në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen Kombëtare, u miratua një propozim sipas të cilit vendimi për t’u larguar nga NATO-ja mund të merret vetëm me mbështetjen e dy të tretave të Senatit ose me një vendim të veçantë të Kongresit.
Një nga autorët e këtij propozimi ishte Marco Rubio, atëherë senator nga shteti i Floridës, i cili shpesh kishte theksuar rëndësinë dhe përparësitë e Aleancës në kuadër të vizionit të tij për politikën e jashtme.
Megjithatë, Rubio tani ka përvetësuar retorikë të ngjashme me atë të shefit të tij. Në disa paraqitje në media, sekretari amerikan i Shtetit ka theksuar se pajtohet me qëndrimin e Trumpit se SHBA-ja duhet “të mendojë për largimin nga NATO”.
“Aleanca dikur kishte rol të rëndësishëm sepse Amerika, përmes NATO-s, mund ta projektonte fuqinë e saj nëpër botë. Tani është bërë një ‘rrugë njëkahëshe’, ku aleatët tanë nuk duan të jenë në dispozicionin tonë për Iranin”, ka thënë Rubio për “Fox News”.
Meqenëse republikanët nuk i kanë dy të tretat e senatorëve, e as shumicën e mjaftueshme në të dy dhomat e Kongresit për të mbështetur largimin nga NATO-ja, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj aleance, pavarësisht deklaratave të Trumpit.



