
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s siguron se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së krahut lindor, ndërsa stërvitjet ndërkombëtare konfirmojnë gatishmërinë e aleancës.
Bruksel – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të mërkurën të qetësonte shqetësimet lidhur me tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Rumania, duke theksuar se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e krahut lindor të aleancës.
Rutte tha se ndryshimet në pozicionimin e forcave amerikane nuk janë të pazakonta dhe se, edhe pas këtij lëvizjeje, prania e SHBA-së në Evropë mbetet më e madhe se sa ka qenë për shumë vite. “Mendoj se po bëjmë shumë bujë për këtë tërheqje”, shtoi ai.
Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e një brigade nga Rumania, pa e zëvendësuar atë, duke e cilësuar këtë si një shenjë pozitive të rritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësisë evropiane. Megjithatë, vendi vazhdon të mbajë një prani të fortë në Evropë dhe aftësinë për të përmbushur angazhimet ndaj NATO-s.
Rutte gjithashtu përmendi operacionin “Eastern Sentry” dhe stërvitjen ushtarake “Dacian Fall” në Rumani dhe Bullgari, ku do të marrin pjesë rreth 5,000 trupa nga 10 vende të NATO-s, si prova e gatishmërisë së aleancës për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj dhe për të dërguar shpejt forcat e nevojshme.
Presidenti rumun Nicușor Dan deklaroi se nuk ka shqetësime lidhur me tërheqjen e trupave amerikane dhe se operacioni dhe stërvitja tregojnë koordinimin efektiv për lëvizje të mëdha të trupave ushtarake.



