“SAFE CITY”, një qytet i sigurt apo qytetarë të disiplinuar

“Safe City” ngrit pikëpyetje mbi balancën mes sigurisë dhe lirisë. Shpjegimet që mungojnë mbi këtë sistem është se a mund të mbledhë informacione dhe pastaj t’i ndajë me palën e tretë. Gjithashtu kështu siç është pa mekanizma të qartë kontrolli demokratike, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, ky sistem rrezikon të shndërrohet në një panoptikon bashkëkohor. Qyteti i sigurt mund të përfundojë si qyteti i frikës dhe kontrollit

Shkruan: Emrah XHEMAILI

banner

Qyteti modern nuk po ndërtohet më vetëm me beton, asfalt dhe drita, por edhe me algoritme, kamera dhe premtime për siguri. Në këtë kontekst, në Maqedoninë e Veriut, “Safe City” po prezantohet si një hap i domosdoshëm drejt rritjes së sigurisë publike, përmes teknologjive të avancuara të vëzhgimit dhe analizës së të dhënave. Por nën këtë diskurs qetësues fshihet një transformim më i thellë ndërmjet qytetarit dhe pushtetit. Kur siguria bëhet justifikim universal, megjithëse jemi të mbrojtur, të njëjtën kohë jemi edhe të vëzhguar, të regjistruar dhe të kushtëzuar. Pa synim për të propozuar zgjidhje normative apo për të përcaktuar se si duhet vepruar ndaj këtij fenomeni.

Shumë mendimtarë dhe historianë të interesuar në sistemet e reformave ishin të vetëdijshëm për panoptikonin, por njoftimi më i gjerë me të erdhi pas hulumtimeve të hulumtuesit francez Michel  Foucault. Modelin e panoptikonit për të analizuar procesin e transformimit nga pushteti monarkik në pushtetin disiplinor, Foucault, ishte ai që e përdori dhe e analizoj. Panoptikoni është një analogji që lejon një kuptim më të mirë të përdorimit të gjerë të mbikëqyrjes në shtetet kombe. Me panoptikonin, Foucault thekson se jeta e një individi i nënshtrohet shqyrtimit dhe mbikëqyrjes brenda të gjitha institucioneve në të cilat ai është i mbyllur. Përmes mbikëqyrjes, pushteti duke vëzhguar, klasifikuar, regjistruar dhe kryer analiza krahasuese, merr informacione rreth individit. Në këtë mënyrë, individët reformohen, transformohen dhe disiplinohen.

Patjetër që duhet të përmendet arkitekti i këtij instrumenti. Bentham krijoi “Panoptikonin” i cili është një model arkitektonik i projektuar për shumë institucione shoqërore (burgje, shkolla, fabrika, spitale, ushtri, etj) si një instrument i disiplinës shoqërore. Ky instrument ishte ideal për të ndëshkuar të burgosurit, kontrolluar të çmendurit, riformuar të pamoralshmit, shëruar sa më shpejtë të sëmurët dhe edukuar brezat e rinj.

“Panoptikoni përbëhet nga qeliza që rrethojnë një zonë të hapur me një kullë vrojtimi në qendër. Roja në kullë vëzhgon vazhdimisht qelitë, por ata që janë brenda nuk mund ta shohin atë. As vetë qelitë, as rojet ndihmëse dhe zyrtarët e rangut të ulët që veprojnë si roje, nuk janë të vetëdijshëm kur po vëzhgohen apo jo. Prandaj, vetëm prania e një personi në kullë, ose përshtypja e një të tilli, është e mjaftueshme për të krijuar një efekt të përgjithshëm mbikëqyrjeje”. (Foucault, 2010)

Ky panoptikon krijon mbikëqyrje të vazhdueshme dhe totale. Një mbikëqyrje e tillë bën të mundur mbledhjen e informacionit rreth çdo aspekti të sjelljes njerëzore. Kështu, çdo aspekt i jetës mund të disiplinohet. Nëpërmjet njohësit ose vëzhguesit, vendoset pushteti racional dhe absolut. Pushteti i kontrolluesit si që është i dukshëm gjithashtu është edhe i pavërtetueshëm. Ai arrin bindjen përmes paqartësisë së tij. Meqenëse ata që vëzhgohen nuk janë të vetëdijshëm kur vëzhgohen dhe kur jo, ata detyrohen të veprojnë sikur janë gjithmonë duke u vëzhguar. Kjo gjithashtu kufizon sjelljen e tyre dhe siguron që disiplina të përvetësohet nga ata që vëzhgohen.

Panoptikoni anonimizon dhe automatizon pushtetin, pasi nuk ka rëndësi se kush e ushtron atë. Ajo që ka rëndësi është krijimi i një mbikëqyrjeje dhe dukshmërie të vazhdueshme. Kështu që, nuk ka nevojë të përdoret forca për disiplinë. Pajtueshmëria me disiplinën bëhet vullnetare. Përmes një mekanizmi vetëkontrolli, individi monitoron vazhdimisht veten kundër një pushteti për origjinën e së cilës nuk është i informuar. Dikur i njëjti raport ishte me Zotin, nga i cili ndodheshin nën mbikëqyrjen e vazhdueshme. Tani, perënditë janë bërë tokësore. Syri që sheh gjithçka mbi njerëzimin është syri i pushtetit tokësor. Ky pushtet, falë aktivitetit të përshtatshëm të mbledhjes së informacionit të modelit të panoptikonit, është në gjendje të krijojë një situatë ku njerëzit nuk mund t’i shpëtojnë syrit që sheh gjithçka, ku ata kurrë nuk mund ta mashtrojnë “Zotin”.

Si një formë shumëplanëshe, automatike dhe anonime e ushtrimit të pushtetit, panoptikoni përfaqëson një strukturë pushteti ku nëpërmjet dijes nënshtron lehtësisht, gjithashtu duke mundësuar edhe disiplinën dhe kontrollin. Dija, në përgjithësi përkufizohet si produkti që rezulton nga marrëdhënia midis subjektit që zoton dijen në lidhje me objektin. Duke zotuar dhe grumbulluar këtë dije, pushteti formon informacionin. Të dhënat që u paraqiten individëve nga qendra e pushtetit, janë ato që e formojnë informacionin. Këto nuk janë të dhëna që individët i marrin me dëshirë, por të dhëna të filtruara nga pushteti që i konsideron të pranueshme për t’u servuar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shoqëria disiplinore mori një formë tjetër. Kontrolli përmes izolimit u zëvendësua me kodet dhe të dhënat e mundësuara nga teknologjia e informacionit. Pra, tani më shoqëritë e mbikëqyrjes veprojnë përmes kompjuterëve. Në shoqërinë mbikëqyrëse, forma e shoqërisë disiplinore të Foucaultit, ku subjektet vëzhgoheshin nëpër hapësira të mbyllura, tani janë zëvendësuar nga individë “të lirë” në mjedise të hapura. Tani e gjithë shoqëria është një turmë, që kontrollohet në mjedise të lira, jo të kufizuar në hapësira të mbyllura, pra pushteti vepron në çdo hapësirë. Individët që Panoptikoni dikur i disiplinonte, tani, kudo që të jenë, janë të ekspozuar ndaj një “super-Panoptikoni”. Të gjitha hapësirat publike dhe private janë shndërruar në një mbyllje totale ku është në fuqi mbikëqyrja super-panoptike. Tani kufijtë e këtyre qendrave të mbylljes, nuk kanë murre të objekteve, por kanë arritur kufijtë e shteteve dhe nën ndikimin e globalizimit, kanë marrë një karakter transnacional, duke treguar një tendencë drejt zgjerimit të pakufizuar. Superpanoptikoni, ka bërë të mundur që mungesës së informatës për pushtetin t’i shtohet edhe mungesa e informatës për hapësirën dhe kohën e mbikëqyrjes. Pika që nuk duhet harruar dhe që duhet theksuar përsëri këtu është se, një person nuk mund ta dijë nëse dikush po e vëzhgon apo jo, ai është i vetëdijshëm se të gjithë janë vëzhgues potencial.

Teknologjia që i mungonte Panoptikonit tani nuk ka gjë që e kufizon. Me kamera në rrugë dhe trotuare, internetin dhe të gjitha llojet e teknologjive të përditshme si telefonat celularë, të gjithë mund të vëzhgohen dhe regjistrohen në çdo moment. Duke e shndërruar çdo vend në një burg të hapur dhe të pakufizuar. Modeli Panoptikon, me mbikëqyrjen e tij që disiplinonte njerëzit duke i tërhequr në rrethin e vet, është zëvendësuar nga modeli Superpanoptikon, një mbikëqyrje që shkon te njerëzit në vend që t’i tërheqë ata, duke i futur në disiplinë ata kudo që të jenë. Ndryshe nga subjektet e Panoptikonit, të cilët janë të vetëdijshëm se janë nën mbikëqyrje, subjektet e Superpanoptikonit janë subjekte të të dhënave që nuk janë të vetëdijshëm se po strukturohen nga kompjuterët dhe kamerat. Ata janë të lidhur verbërisht me iluzionin e të qenit të lirë dhe të paaftë të kuptojnë se ky është një iluzion.

Shumë qytete përdorin sisteme kamerash për qëllime sigurie dhe kontrolli, ndër të cilat edhe programi “Safe City” në vendin tonë. Edhe pse paraqitet si një projekt modern sigurie, në thelb ai riprodhon logjikën klasike të panoptikonit, tashmë të shtrirë në shkallë urbane. Ashtu si te modeli i Benthamit, ku arkitektura shërbente për ta bërë subjektin vazhdimisht të dukshëm, sistemi i kamerave e shndërron qytetin në një hapësirë të mbikëqyrur pa ndërprerje. Sot, megjithatë, vëzhgimi nuk është më i lokalizuar, por i shpërndarë dhe anonim, çka e bën pushtetin më pak të dukshëm, por më efektiv. Këtë logjikë e përforcojnë edhe dispozita ligjore ndëshkuese si konfiskimi i automjetit dhe anulimi i patentës në rast drejtimi nën ndikimin e alkoolit ose pa leje të cilat e thellojnë karakterin disiplinar të ndërhyrjes së pushtetit mbi sjelljen e qytetarëve.

Në këtë kuptim, “Safe City” ngrit pikëpyetje mbi balancën mes sigurisë dhe lirisë. Shpjegimet që mungojnë mbi këtë sistem është se a mund të mbledhë informacione dhe pastaj t’i ndajë me palën e tretë. Gjithashtu kështu siç është pa mekanizma të qartë kontrolli demokratike, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, ky sistem rrezikon të shndërrohet në një panoptikon bashkëkohor. Qyteti i sigurt mund të përfundojë si qyteti i frikës dhe kontrollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.