
Kryetari i PD akuzon Edi Ramës për mungesë veprimi diplomatik ndaj proceseve në Hagë dhe e lidh situatën me ndikimin e Aleksander Vuçiqit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një videomesazhi, deklaroi se gjatë vizitës së tij në Uashington, kryeministrit Edi Rama iu refuzuan të gjitha takimet zyrtare, me përjashtim të një takimi me një organizatë joqeveritare me dyer të mbyllura.
Sipas Berishës, Rama nuk ka ndërmarrë asnjë hap diplomatik për të mbështetur ish-drejtuesit e UÇK-së që përballen me procese gjyqësore në Hagë. Ai e lidhi këtë situatë me ndikimin, sipas tij, të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Dua të garantoj çdo shqiptar, se diplomacia e megafonit nuk i shërben kurrë zgjidhjes së problemeve, aq më tepër kur atë e përdor një vend si Shqipëria. Diplomacia e megafonit, për dramën e madhe që po luhet në Hagë kundër ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës, është në vlerësimin tim, aspak e dobishme; ajo në Strasburg prodhoi efekte të kundërta”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi më tej se kryeministri “nuk ka ndërmarrë me diplomacinë konvencionale asnjë hap të vetëm në ndihmë të luftëtarëve të UÇK-së, drejtuesve të luftës, që ndodhen sot me akuza të fabrikuara nga alfa tek omega në zyrat e vëllaut e padronit të tij, Vuçiç”, duke e akuzuar Ramën për heshtje dhe mungesë angazhimi në këtë çështje.



