
Ambasada amerikane paralajmëron shtim të policisë, ndërprerje trafiku dhe sirena gjatë ushtrimit të menaxhimit të krizave.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se më 12 dhjetor, nga ora 15:00 deri në 21:00, do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët me Policinë e Kosovës. Në komunikatën për media thuhet se ushtrimi do të fokusohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndërinstitucional dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave.
Sipas ambasadës, ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe Kosovës për forcimin e bashkëpunimit në sferën e sigurisë dhe përmirësimin e gatishmërisë për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme emergjente.
Gjatë ushtrimit, qytetarët mund të vërejnë shtim të pranisë së personelit të sigurisë dhe Policisë së Kosovës rreth ambasadës dhe zonave të tjera të trajnimit në Prishtinë. Po ashtu, priten ndërprerje të përkohshme të trafikut, devijime dhe mbyllje të shkurtëra të rrugëve sipas udhëzimeve të policisë.
Në njoftim theksohet se mund të ketë përdorim të sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët.
Ambasada amerikane sqaron se bëhet fjalë vetëm për një ushtrim dhe jo për reagim ndaj ndonjë incidenti real, duke kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe respektim të çdo udhëzimi të Policisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe.



