Shkëlqimi dhe rënia e Grenell në rrethin e ngushtë të Trump, “Daily Mail” shkruan se si ish-emisari dështoi ta takojë Vuçiqin me presidentin amerikan

Richard Grenell, dikur një nga figurat më të fuqishme të kampit të Donald Trump dhe ish-drejtues i inteligjencës amerikane, sot gjendet në një pozitë krejt tjetër – në krye të Qendrës Kennedy, ndërsa edhe ky rol po vihet në pikëpyetje. E përditshmja britanike “Daily Mail” në një artikull trajton organizimin e një takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Trump, takim që – sipas gazetës britanike, raporton gazeta Reporteri.net – u bllokua në momentet e fundit brenda vetë Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Daily Mail, Grenell kishte ndërmjetësuar fluturimin e Vuçiq drejt Floridës në maj 2025 për një takim privat me Trump. Takimi nuk u zhvillua kurrë.

banner

Burime të cituara nga “Daily Mail” thonë se shefja e stafit, Susie Wiles, e bllokoi personalisht këtë iniciativë, duke e lënë liderin serb në një situatë të sikletshme dhe duke sinjalizuar se veprimet e pavarura të Grenellit në politikën e jashtme nuk toleroheshin më, shkruan Reporteri.net. Shpjegimi zyrtar nga Beogradi ishte se Vuçiq ndërpreu vizitën për arsye shëndetësore, por sipas diplomatëve të cituar nga Daily Mail, prapaskena ishte shumë më komplekse

Përplasja me Rubio dhe dosja e Venezuelës

Sipas Daily Mail, rënia e ndikimit të Grenellit nisi me konfliktin e tij me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio rreth politikës ndaj Venezuelës. I emëruar si “i dërguar special” në fillim të mandatit të dytë të Trump, Grenell favorizoi një qasje më pragmatike – lirime të të burgosurve dhe marrëveshje energjetike – ndërsa Rubio shtyu për “presion maksimal” dhe forcim ushtarak që përfundoi me kapjen e Nicolás Maduro.

Dy burime diplomatike dhe një burim në Departamentin e Shtetit i thanë Daily Mail se Rubio, me mbështetjen e Wiles, e largoi Grenellin nga dosja e Venezuelës.

Edhe opozitarja venezueliane María Corina Machado, sipas një diplomati të cituar nga Daily Mail, përcjell Reporteri.net, kishte refuzuar ta takonte Grenellin, duke e konsideruar arrogant dhe të pabesueshëm.

Sipas Daily Mail, një incident gjatë Konventës Kombëtare Republikane vulosi fatin e tij. Një burim pranë Shtëpisë së Bardhë pretendon se Grenell i bërtiti Susie Wiles për kohën e fjalimit, duke e akuzuar për rrezikimin e fitores elektorale. Grenell e mohoi këtë version për Daily Mail, por gazeta thekson se konfirmimi i premtuar nga Wiles nuk erdhi kurrë.

Lidhjet me Serbinë dhe marrëveshja 500 milionë dollarëshe

Sipas Daily Mail, përtej përpjekjes për takimin Vuçiç–Trump, Grenell kishte interesa të ndërlidhura me marrëveshje biznesi në Serbi, në bashkëpunim me Jared Kushner. Ai ishte instrumental në ndërmjetësimin e një projekti prej 500 milionë dollarësh për një hotel luksoz dhe kompleks memorial në qendër të Beogradit, përmes firmës investuese Affinity Partners.

Projekti parashihte një qira 99-vjeçare nga qeveria serbe dhe ndarje fitimesh mes kompanisë dhe shtetit serb. Megjithatë, sipas Daily Mail, përcjell Reporteri.net, ka shenja se marrëveshja mund të ketë dështuar. Affinity Partners nuk iu përgjigj kërkesës për koment të gazetës.

Një diplomat veteran i tha Daily Mail se Grenell është “jashtëzakonisht egoist dhe pa mëshirë ambicioz”, ndërsa një tjetër burim e përshkroi si “diplomat transaksional”. Ambicia e tij për t’u bërë Sekretar Shteti duket sot e largët.

Ndërkohë, në Qendrën Kennedy ai përballet me bojkot artistësh, rënie të shitjes së biletave dhe polemika për ndryshimin e emrit në “Trump-Kennedy Center”, siç raporton Daily Mail.

Në përmbledhje, sipas raportimit të vazhdueshëm të Daily Mail, karriera e njeriut që dikur aspironte majat e diplomacisë amerikane sot është zhvendosur nga korridoret e fuqisë globale në menaxhimin e një institucioni kulturor – ndërsa episodi me presidentin serb Vuçiç mbetet një nga momentet më domethënëse të izolimit të tij politik

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.