
“Nuk erdhi si shpëtimtar me fjalë të mëdha, por si udhëheqës me pjekuri që i dha PDK-së forcë dhe kohezion,” shkruan Ramadani.
Pas njoftimit të dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sociologu Shkodran Ramadani vlerëson kontributin e tij në një periudhë sfidash të mëdha për partinë.
Në një analizë, Ramadani thekson se pas humbjeve të dy shtyllave të PDK-së në 2020 dhe krizës së thellë në 2021, Krasniqi arriti ta rikthejë partinë nga një situatë e brishtë dhe e pasigurt. Ai udhëhoqi me pjekuri dhe qetësi, duke ruajtur kohezionin brenda-partiak dhe duke përmirësuar pozitën e PDK-së për të garuar më fuqishëm në të ardhmen.
“Memli Krasniqi nuk u ankua dhe në mes të shtrëngatës së krizës bëri më të mirën për partinë e vet,” shkruan Ramadani. Ai shton se Krasniqi largohet nga kryesia jo si dikush që ikën kokulur, por si udhëheqës që ka kryer një mision, ka hapur rrugë për të tjerët dhe ka lënë gjurmë të qëndrueshme në PDK.



